Përkthyesi në shërbimin shëndetësor

Ju duhet të merrni informacion për shëndetin tuaj, sëmundjen dhe mjekimin në gjuhën që ju kuptoni. Nëse ju e keni të vështirë të kuptoni dhe të flisni norvegjisht, atëherë ju keni të drejtë për të pasur një përkthyes në atë gjuhë që ju preferoni.

Kush ka të drejtë për përkthyes?

Nëse ju nuk e kuptoni atë që thuhet dhe nuk mund të tregoni se për çfarë keni nevojë, atëherë ju keni të drejtë për përkthyes në gjuhën që ju preferoni. Ju mund të keni të drejtë për përkthyes pavarësisht se ju flisni norvegjisht në jetën e përditshme.

Kush e porosit përkthyesin?

Shërbimi i kujdesit shëndetësor është përgjegjës për të porositur një përkthyes të kualifikuar.

Mund të jetë e vështirë që të kuptohet nëse ka nevojë për përkthyes. Është personeli i shërbimit të kujdesit shëndetësor që e vlerëson së pari nëse është e nevojshme që të përdoret përkthyesi. Edhe ju mund të thoni nëse mendoni se keni nevojë për një përkthyes, për shembull kur rezervoni orarin për vizitë. Ju mund të merrni po ashtu, në telefon shërbimin e kujdesit shëndetësor dhe të luteni që ata të porosisin përkthyes në gjuhën tuaj.

Përkthimi përmes videokonferencës ose telefonit mund të jetë një mundësi e mirë në disa raste, në vend që përkthyesi të jetë i pranishëm në dhomë.

Ligji i përkthimit përcakton se institucionet publike e kanë për detyrë që të përdorin përkthyes të kualifikuar.

Kush mund të përkthejë?

Përkthyesi duhet të jetë një person që është i shkolluar si përkthyes.

Fëmijët nuk duhet të përdoren si përkthyes. As të afërm të tjerë ose persona që nuk janë shkolluar si përkthyes nuk duhet të përdoren në vend të përkthyesit të kualifikuar.

Për çfarë duhet të bëni kujdes ju vetë kur do të përdorni përkthyes?

Është e rëndësishme që ju t’i tregoni me saktësi shërbimit të kujdesit shëndetësor se cilën gjuhë ju preferoni.

Kur porositet përkthyes për një bisedë, është e rëndësishme që ju të paraqiteni në takim në kohën e caktuar. Nëse ju nuk mund të paraqiteni në kohën e caktuar, ju duhet të anuloni takimin të paktën 24 orë përpara. Nëse jo, ju duhet të paguani gjithsesi për konsultën. Është veçanërisht e rëndësishme që ta kini këtë parasysh, kur porositet përkthyes.

Çfarë është përkthyesi dhe cilat janë detyrat e përkthyesit?

Përkthyesi ka detyrimin për të ruajtur konfidencialitetin dhe nuk do t’i tregojë askujt atë çfarë thuhet në një bisedë me përkthim.

Përkthyesi do të përkthejë vetëm atë që thuhet, nuk do të japë këshilla ose shtojë mendimet e veta. Përkthyesi duhet të jetë neutral dhe nuk duhet të mbajë anën e askujt.

Si pacient, ju duhet t’i drejtoheni personelit të kujdesit shëndetësor. Prandaj, të gjitha pyetjet duhet t’i drejtohen personelit të kujdesit shëndetësor dhe jo përkthyesit.

Kush paguan për përkthyesin?

Përkthyesi është falas për ju që jeni pacient i shërbimit të kujdesit shëndetësor. Me përjashtim, nëse ju do të shkoni tek dentisti dhe duhet të paguani vetë për trajtimin dentar. Në këtë rast, ju duhet të paguani edhe për përkthyesin.

Ju mund të ankoheni

Nëse nuk ju jepet përkthyes, megjithëse ju mendoni se ju duhet një i tillë, ju mund të ankoheni në institucionin shëndetësor ku jeni pacient. Ju mund të ankoheni tek prefekti në prefekturën tuaj, Avokati i Popullit për pacientët dhe përdoruesit e shërbimeve sociale (në norvegjisht) ose Avokati i Popullit për barazinë dhe antidiskriminimin (në norvegjisht).

Nëse nuk jeni të kënaqur me përkthyesin, ju mund të ankoheni për këtë në institucionin shëndetësor ku jeni pacient.

Tolkeloven. 2021. Lov om offentlige organers ansvar for bruk av tolk mv. av 2021-06-11 nr 79.

Innholdet er levert av Helsedirektoratet

Sist oppdatert e premte, 28 tetor 2022